Vjenë: Arrestohen dy persona, mes tyre një 22-vjeçar nga Kosova, sekuestrohen mbi 104 kg kanabis dhe kokainë
Policia austriake ka arrestuar në Vjenë dy persona, një 22-vjeçar me shtetësi të Kosovës dhe një 29-vjeçar me shtetësi të Shqipërisë, nën dyshimin për përfshirje në tregtinë e paligjshme të narkotikëve.
Sipas raportimeve të mediave austriake, operacioni policor u zhvillua më 29 shtator 2026, rreth orës 13:00, në distriktin Rudolfsheim-Fünfhaus të Vjenës.
Hetimet u kryen nga Njësia Speciale për Luftimin e Krimit Rrugor (EGS), e cila kishte mbledhur informacione lidhur me aktivitetin e dyshuar të personave.
Gjatë ndalimit në rrugë, policia kontrolloi disa kuti transporti që dy të dyshuarit mbanin me vete. Brenda tyre u gjetën rreth 16 kilogramë produkte kanabisi.
Kontrollet e mëtejshme zbuluan sasi të tjera narkotikësh.
Në kuadër të hetimeve, zyrtarët policorë kontrolluan dy apartamente dhe një kontejner depozitimi që dyshohej se kishin lidhje me të dyshuarit. Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan rreth 88 kilogramë produkte të tjera kanabisi dhe 834 gramë kokainë.
Në total, autoritetet austriake konfiskuan rreth 104 kilogramë produkte kanabisi dhe 834 gramë kokainë. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një shumë parash në euro, vlera e së cilës nuk është bërë e ditur.
Dy personat e arrestuar ndodhen në ndalim policor, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi dyshimet konkrete ndaj secilit person. Të dy të arrestuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: Heute.at