“Nuk mendova fare për veten” – Kosovari hidhet në rrezik dhe shpëton 4 të rinj në Zvicër

“Nuk mendova, doja vetëm të ndihmoja dhe të shpëtoja” – shqiptari nga Kosova shpëton katër të rinj nga makina që po digjej në Zvicër

Një aksident i rëndë trafiku në Wohlen të kantonit Aargau mund të kishte përfunduar në tragjedi, por ndërhyrja e shpejtë e 53-vjeçarit nga Kosova, Ajdin Limoni, dhe e disa personave të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, bëri të mundur nxjerrjen e katër të rinjve nga një automjet që ishte përfshirë nga flakët.

Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 20:45 në Alte Bremgarterstrasse, në Wohlen të Aargaut. Një Fiat Punto, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, doli nga rruga në një kthesë majtas dhe u përplas me një pemë. Pak çaste më vonë, automjeti u përfshi nga zjarri.

Mes personave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes ishte edhe Ajdin Limoni, 53 vjeç, me origjinë nga Kosova dhe banues në kantonin Aargau.

“Nuk mendova, doja vetëm të ndihmoja”

Limoni ishte duke u kthyer në shtëpi kur pa një shkëndijë zjarri. Fillimisht mendoi se mund të ishte një kaçubë që po digjej, por pak më vonë kuptoi se bëhej fjalë për një automjet të aksidentuar, brenda të cilit ndodheshin njerëz.

Sipas rrëfimit të tij për mediat zvicerane, në vendngjarje kishte disa kalimtarë që po e shikonin automjetin, por nuk po ndërhynin.

“Kishte mjaft njerëz që qëndronin përreth duke parë makinën që po digjej”, ka treguar Limoni. Ai u kërkoi të pranishmëve të reagonin dhe të ndihmonin.

53-vjeçari iu afrua automjetit dhe hapi derën me forcë. Brenda pa tre persona pa ndjenja, ndërsa një vajzë e re ishte ende e vetëdijshme.

“Ajo bërtiti: ‘Ndihmë, po vdes, më ndihmoni!’”, ka rrëfyer ai. “Ky ishte një zë që nuk do ta harroj kurrë.”

Flakët kishin përfshirë pjesën e përparme të automjetit dhe, sipas Limonit, arrinin në një lartësi prej rreth tre metrash.

Ai u kërkoi personave që po ndihmonin në vendngjarje që të largonin sa më shpejt të plagosurit nga automjeti.

Për shkak se disa prej tyre ishin të bllokuar nga rripat e sigurimit, Limoni kërkoi një thikë për t’i prerë dhe për t’i nxjerrë pasagjerët nga makina.

“Nuk mendova. Doja vetëm të ndihmoja dhe të shpëtoja”, është shprehur ai.

Pësoi djegie gjatë shpëtimit

Gjatë ndërhyrjes, 53-vjeçari pësoi djegie në duar dhe në ballë. Ai u dërgua për trajtim në spital, ndërsa më pas shërbimet e urgjencës e kthyen në shtëpi.

“Do të mbetet një shenjë, por dhimbja është e durueshme”, ka thënë Limoni.

Pavarësisht lëndimeve, ai shprehet se ndihet mirë kur mendon se ndërhyrja e tij ndihmoi në shpëtimin e jetëve.

“Kur mendoj se kam arritur të shpëtoj njerëz, ndihem relativisht mirë”, ka deklaruar ai.

Limoni është shprehur gjithashtu i zhgënjyer nga disa prej kalimtarëve që, sipas tij, qëndruan duke parë pa ndërhyrë.

Mesazhi i tij për qytetarët që ndodhen pranë një aksidenti është i drejtpërdrejtë:

“Ndalo! Thjesht ndalo. Nuk ka rëndësi nëse ka trafik të bllokuar. Ju lutem, kontrolloni nëse ka njerëz që kanë nevojë për ndihmën tuaj.”

Katër të rinj në automjet, dy në gjendje të rëndë

Sipas të dhënave të policisë kantonale të Aargaut, në automjet ndodheshin katër shtetas italianë që jetojnë në Zvicër: një vajzë 17-vjeçare dhe tre të rinj, të moshave 17, 18 dhe 21 vjeç.

Disa persona që ndodheshin në vendngjarje arritën t’i nxirrnin të katër nga automjeti që po digjej. Sipas policisë, ndërhyrja e tyre ishte vendimtare për shpëtimin e të rinjve.

Dy prej të aksidentuarve pësuan lëndime të rënda dhe u transportuan me helikopterë të Rega-s drejt spitaleve universitare në Bazel dhe Cyrih. Dy të tjerët u dërguan me ambulanca në spitale, me lëndime të moderuara deri në të rënda.

Policia ishte njoftuar fillimisht për aksidentin përmes një alarmi automatik të dërguar nga një telefon celular.

Shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit ende nuk janë bërë të ditura. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.