Vrau të riun shqiptar, shpallet i pafajshëm pensionisti italian

Një pensionist italian është shpallur i pafajshëm në procesin për vrasjen nga ana e tij të një shqiptari, i cili i kishte hyrë në shtëpi për të vjedhur.

Ngjarja ka ndodhur më 20 tetor 2015, në kuzhinën e vilës së pensionistit, në Vaprio d’Adda, provinca e Milanos. Gjyqtarja Teresa De Pascale, ashtu siç kishte kërkuar edhe prokurori, e arkivoi çështjen e pensionistit Francesco Sicignano, i akuzuar për vrasjen me dashje të shqiptarit 22-vjeçar Gjergi Gjoni.

Gjyqtarja vendosi që vrasja ishte mbrojtje e ligjshme. Familjarët e viktimës, të përfaqësuar nga avokati Teodor Nasi, e kundërshtuan arkivimin, me pretendimin se Sicignano e kishte vrarë 22-vjeçarin kur ai ishte në shkallët e jashtme të vilës dhe jo në kuzhinë, siç deklaroi pensionisti menjëherë pas vrasjes.

Dyshimet e familjarëve nuk u vërtetuan, ndërkohë që mjeku ligjor kishte konfirmuar versionin e pensionistit.