Rrëfehet 11-vjeçari që u rrëmbye mbrëmë: Ata më thanë ‘kemi punë me babain tënd’

Tre persona të maskuar e kanë futur me dhunë në një automjet xhip, pasditen e djeshme, 11-vjeçarin kosovar, nga komuna e Shtimes, E.T. Me duar të lidhura, djalin e kanë dërguar disa kilometra larg shtëpisë së tij. Por vetëm disa orë pas, ai ka arritur që t’iu ikë personave. Për Gazetën Express, i tronditur, i mituri me lejen e familjarëve ka shpjeguar rreth këtij rasti.

E. T., 11-vjeç, bashkë me djalin e xhaxhait, Diartin, 18 vjeç, i cili kishte ardhur nga Belgjika pasditen e djeshme, kishin dalë për të shëtitur në rrethinën e qytetit të Shtimes. Ata kishin hyrë në një supermarket. Pas disa minutave kishin dalë jashtë e në rrugën “14 dhjetori”, tre persona nga një makinë e tipit “xhip” e kishin thirrur E.T. në emër, duke e ftuar që të shkojë me ta.

I mituri kishte refuzuar që t’i përgjigjej kërkesës së tre personave. Disa minuta më vonë me maska në fytyrë, me dhunë e kishin marrë 11-vjeçarin dhe me duar të lidhura e kishin futur në makinë. Djali i xhaxhait të tij nuk kishte arritur ta shpëtonte  dhe t’ua mirrte targat e makinës, rrëmbyesve.

Gazeta Express të hënën ka qëndruar në shtëpinë e të miturit, i cili ka folur me lejen e familjarëve. Ai, ndonëse i tronditur nga ngjarja, thotë se nuk mban mend shumë gjëra.

“Dje rreth orës 19:30, nga një makinë e zezë një person ka thirrur emrin tim. Kur jam afruar për të parë, 3 persona me maska në fytyrë m’i kanë mbyllur sytë dhe gojën dhe më kanë futur brenda”, rrëfen 11-vjeçari.