“Kasapi i Ballkanit”, Ratko Mlladiq dënohet me burg të përjetshëm

Tribunali i Hagës ka dënuar me burg të përjetshëm ish gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, i njohur si Kasapi i Bosnjës. Mlladiq mban mbi supe akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njëzimit në Bosnje, përfshirë këtu vrasje, dhunë, terrorr, e vepra tjera të rënda kundër njerëzimit.

 “Forcat serbe të Bosnjës, pjesëtarë paramilitarë dhe ushtarë të Serbisë, sistematikisht vranë mijëra burra dhe djem myslimanë të Bosnjës. Shumica dërmuese u vranë për vetëm disa ditë, nga data 12 deri më 17 korrik 1995. Dhoma konstatoi se autorët fizik kishin për qëllim shkatërrimin e myslimanëve boshnjak në Srebrenicë, një pjesë e konsiderueshme e grupit të mbrojtur. Prandaj, dhoma ka gjetur se krimet e gjenocidit persekutimit, shfarosjes, vrasjes dhe veprimit çnjerëzor janë kryer ndaj myslimanëve boshnjakë në dhe përreth Srebrenicës – deklaroi gjykatësi.

Ratko Mlladiq është përjashtuar nga dhoma e gjykatës gjatë kohës gjykatësi po jepte verdiktin, pasi që i njëjti filloi të reagonte duke kundërshtuar gjykatë.

Në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si gjenocid.

Gjenocidi i kryer në Srebrenicë në korrik të 1995, përfshiu vrasjen masive të planifikuar të mbi 7 mijë burrave dhe te rinjve boshnjakë të moshës prej 12 deri 77 vjeç. Gjenocidi është kryer nga forcat militare dhe paramilitare serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç. Ai në disa pamje televizive paraqitej para myslimanëve të Bosnjës si njeri paqësor madje duke i lutur që të mos largohen nga vendi i tyre, por menjëherë më pas forcat tij kishin nisur me pushkatimet masive.

Ngjarja është konsideruar si një nga masakrat më të mëdha në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Srebrenica, atëbotë, ishte shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara, por është mbrojtur vetëm nga një numër i vogël i paqeruajtësve holandezë, të armatosur lehtë, të cilët nuk kanë qenë në gjendje t’i ndihmojnë civilët e strehuar aty.

Një gjykatë e apelit në Holandë ka konfirmuar se ky vend është përgjegjës për vdekjen e 350 boshnjakëve në Masakrën e Srebrenicës.

Masakra e Srebrenicës shënohet më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, ku rreth 6.500 trupa janë zhvarrosur deri më tani nga varret masive dhe janë rivarrosur në këtë lokalitet. Kërkimet vazhdojnë edhe për mbi 1,000 të tjerë.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një rezolutë historike, me të cilën ka kërkuar falje për Masakrën e Srebrenicës, por nuk ka prauar se atje ka ndodhur gjenocid.