Flet i riu i kapur me drogë në makinë: Ju tregoj ku e mora

Kontrollorët e Policisë Kufitare në Pikën e Tri Urave në Përmet, kanë zbuluar një sasi marijuane e destinuar për në tregun grek.

Poseduesi i saj u arrestua në vend, ndërkohë që sasia narkotike u sekuestrua e më pas materialet i shkuan për ndjekje penale organit të akuzës në Përmet.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të pasdites të së shtunës, ku automjeti tip “Ford” ngjyrë gri, me targa AA 190 CN, u paraqit në Pikën Kufitare të Tri Urave për të kaluar drejt Greqisë, shkruan Panorama.

Sipas dëshmive të mëpasshme të vetë të arrestuarit, ai vinte nga kryeqyteti dhe rrugëtimi i tij do të ndalej në qytetin e Konicës, jo shumë larg nga Pika Kufitare e Tri Urave.

Fillimisht, Joan Haska, pronari i automjetit ku u gjet lënda narkotike, është paraqitur në sportelin e vendosjes së vulave të pasaportave në dalje të territorit shqiptar.

Pasi ka mbaruar punë aty, ka kaluar në vijën e dytë kufitare ku kryhet kontrolli fizik i mjeteve. Në këtë moment, njëri prej kontrollorëve, i cili është specialist dhe ekspert për zbulimin e hashashit e lëndëve të tjera narkotike, dyshoi për prezencë marijuane në zonën e poshtme të automjetit.

Kontrollori, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga Policia Kufitare për arsye sigurie, i ka kërkuar drejtuesit të mjetit, Joan Haska, 26 vjeç, nga qyteti i Gjirokastrës, që të zbresë nga automjeti së bashku me familjen që e kishte në bord, gruan dhe dy fëmijët.

Vetë 26-vjeçari ka shfaqur panik gjatë kërkesës për ushtrim kontrolli të imtësishëm në zonën poshtë sediljeve, në pjesën e jashtme të autoveturës.

Dyshimi i kontrollorit u shfaq pasi poshtë sediljes kishte një pjesë të fryrë në zonën e tapicerisë horizontale, çka linte vend për depozitimin e sasive të narkotikëve.

Pasi është shtrënguar nga kontrollori për të thënë se çfarë fshihte në këtë zonë të mjetit, 26-vjeçari nga Gjirokastra me banim rezident në Tiranë, është dorëzuar dhe pranoi fshehjen e lëndës narkotike, madje duke dhënë numrin e saktë të pakove që kishte vendosur në dhomën e fshehtë poshtë sediljeve në zonën e shasisë së automjetit.

Trafikuesit të marijuanës iu kërkua çelësi i hapjes së sediljeve nga kontrollori, çka menjëherë ia vendosi në dispozicion vetë 26-vjeçari, i cili pranoi se e kishte marrë lëndën narkotike për ta trafikuar drejt Greqisë për arsye përfitimi.

Sipas të dhënave, mësohet që lënda narkotike të jetë marrë në zonën e Vlorës, pasi itinerari i Haskës ka qenë Tiranë-Vlorë e pastaj ka mbërritur në Pikën Kufitare të Tri Urave në Përmet.

Sipas grupit hetimor, bëhet e ditur që lënda narkotike të jetë tërhequr nga gjirokastriti nga dy persona në një zonë periferike të Vlorës dhe që vetë Haska të ketë luajtur rolin e transportuesit të marijuanës për në Greqi kundrejt një pagese rreth 1000 euro.

Policia po heton zbulimin e origjinës së marijuanës dhe e porositësve të saj në shtetin grek. Pas zbulimit të sasisë prej 13.5 kg kanabis sativa, të dyshuar për t’u trafikuar në Greqi, 26-vjeçari u arrestua menjëherë nga forcat e policisë. /albeu.com/

Reply