Bllokohet autostrada Elbasan-Tiranë, rrëzohen masiv shkëmbor (FOTO)

Është bllokuar lëvizja në aksin nacional Elbasan-Tiranë për shkak të rrëshkitjes së një masivi të konsiderueshëm shkëmbor pranë fshatit Mamël, dy kilometra larg tunelit.

Shkëmbi është rrëzuar rreth orës 03:00 të së shtunës si pasojë e reshjeve të shiut, duke bllokuar lëvizjen nga Elbasani në drejtim të Tiranës, e cila aktualisht kryhet nga rruga e vjetër e Qafë-Krrabës.

Krahu i kundërt, ai nga Tirana në drejtim të Elbasanit është i hapur dhe funksionon normalisht.

Autoriteti Rrugor ka ndërhyrë bashkë me firmën e mirëmbajtjes duke vendosur sinjalistikën paralajmëruese si dhe po punohet për të rihapur plotësisht kalimin.

Aksi rrugor pritet të qëndrojë i bllokuar për rreth 2-3 ditë për shkak të sasisë së madhe të gurëve që kanë rënë në rrugë.